Festa kombëtare e 14 korrikut në Tiranë [fr]

Zonja dhe zotërinj ministra,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Të dashur miq

Ju kërkoj ndjesë për mungesën e ambasadorit Bernard Fitoussi, i cili ndodhet në Paris me bashkëshorten e tij në pritje të një ngjarjeje shumë të gëzueshme, lindjen e vajzës së tyre.

Në mungesë të tij, ai më ka ngarkuar të lexoj fjalim, të cilin ka insistuar ta përgatisë vetë.

Fjalim i Z. Bernard Fitoussi, Ambasador i Francës në Shqipëri, me rastin e festës së 14 korrikut 2016, lexuar nga Z. Didier Guilbert, i Ngarkuar me Punë a.i.

Fillimi i citimit

Të dashur miq të Republikës Franceze, të dashur miqtë e mi,

Një ngjarje për të cilën jam plotësisht përgjegjës më ka detyruar të qëndroj në Paris. Ju lutem të pranoni ndjesën time për këtë mungesë, por jam i sigurt që miku im Didier do t’ju presë denjësisht në Festën tonë Kombëtare.

Po përfitoj nga ky rast për të ndarë me ju trishtimin tim : Didier do të largohet së shpejti për të dalë në pension, aq shumë të merituar. Ai është mishërimi i diplomatit që i ka shërbyer me devotshmëri Republikës Franceze dhe interesit të përgjithshëm. Kompetencat dhe energjia e tij janë të pakrahasueshme. Një pjesë të mirë të karrierës së tij profesionale ai e ka kaluar në Shqipëri. Për Shqipërinë. Unë jam dëshmitar i lidhjes së tij të fortë me vendin tuaj të mrekullueshëm, për të cilin, siç thuhet, ai është një nga njohësit më të mirë. Me ambasadorët e ndryshëm me të cilët ka punuar, ai ka mbrojtur pa reshtur kauzën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Ai ka mundur të bindë të tjerët se dinjiteti i popullit shqiptar meriton të respektohet dhe të mbrohet. Do të kenë kaluar shumë ambasadorë të Francës në Shqipëri, por do të ketë vetëm një Didier Guilbert, me një ndjenjë dhe një dashuri të tillë për kombin shqiptar.

Dëshiroj që, në një farë mënyre, të vazhdoj në të njëjtin drejtim për të ndarë me ju disa gjëra para se t’ju lë të shijoni koktejin dhe spektaklin që ju ofrohen.

Ky vit, me të dymbëdhjetë muajt që kanë kaluar që prej 14 korrikut të vitit të shkuar, ka qenë veçanërisht i frytshëm në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe Francë - Shqipëri. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar NISHANI, ka realizuar dy vizita në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama ka shkuar gjithashtu tre herë, ndër të cilat për t’u takuar me Presidentin François Hollande dhe për të marrë pjesë në Samitin e Parisit për vendet e Ballkanit dhe BE-në më 4 korrik. Nga ana tjetër, Ministri Harlem Désir ka ardhur dy herë në Shqipëri.

Nëse do ta përmblidhja këtë aktivitet intensiv diplomatik, do të thosha se Shqipëria është tashmë shumë e pranishme në aktivitetin diplomatik francez.

Znj. Mirela Kumbaro dhe Znj. Audrey Azoulay kanë nënshkruar një Marrëveshje për bashkëpunimin kulturor. Salloni i artistëve shqiptarë ka pasur një sukses të madh, dhe do të përsëritet vjeshtën e ardhshme. Në Paris do të fillojnë aktivitet e titulluara «Temps forts» të Shqipërisë në Francë, që janë një varg veprimtarish kulturore, më të rëndësishmet të zhvilluara deri tani në Francë.

Në fushën ekonomike, nëse jemi ende larg miqve tanë italianë, gjermanë apo turq, në kantierin më të madh në Shqipëri do të punojë shoqëria franceze SPIECAPAG, për llogari të TAP-it.

Në fushën e bashkëpunimit, puna e përbashkët me Ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike është e përditshme. Gjithashtu, ne synojmë të fillojmë me Ministrin e Bujqësisë një program të gjerë bashkëpunimi bujqësor, në bashkëpunim sigurisht me Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe Organizatën Botërore të Ushqimit (DUE dhe FAO). Mund të përmend gjithashtu edhe marrëdhëniet tona të ngushta me Ministren e Mbrojtjes dhe me Ministrin e Brendshëm.

Në fushën e frankofonisë do doja të përshëndesja tre aktorë : së pari, Ministren e Arsimit, me të cilën po realizojmë projekte të rëndësishme në fushën e mësimdhënies së gjuhës frënge; nga ana tjetër, rrjetin tonë të degëve të Aleancës Franceze, pa të cilat ne nuk do të ishim të pranishëm në territorin shqiptar, dhe së fundi, Shkollën Franceze Ndërkombëtare të Tiranës (EFIT), e cila po ringrihet.

Në fund, do doja të prekja një temë të ndjeshme: çështjen e reformave në Shqipëri dhe dëshirën e saj të fortë për t’u integruar në BE.

Nuk ka reforma të thjeshta. Këtë e dimë mirë në Francë. Nuk mund të ketë kurrë një reformë që të miratohet në mënyrë konsensuale dhe me kënaqësi. Përndryshe, do të ishin reforma të rreme. Si një përfaqësues i një vendi anëtar të BE-së, mik dhe aleat besnik i Shqipërisë, unë mendoj se të bësh një reformë të thellë në një fushëbetejë ku mbizotëron mosbesimi, ndonjëherë edhe urrejtja, është një detyrë e vështirë. Por kjo detyrë e vështirë është e domosdoshme, sepse nga ajo varet fati i Shqipërisë dhe projekti i saj i integrimit evropian.

Por a keni ju, të dashur miq shqiptarë, tjetër zgjidhje përveç se të reformoni drejtësinë, e cila është kthyer sot në një barrë të rëndë që peshon mbi kurrizin e zhvillimit tuaj ekonomik, mbi vendosjen e shtetit të së drejtës, mbi reputacionin ndërkombëtar të vendit tuaj dhe së fundi mbi ecjen tuaj drejt integrimit evropian?

Jo, nuk ka tjetër zgjidhje përveç reformës së thellë të sistemit të drejtësisë, për të rivendosur besimin midis qytetarëve dhe gjyqtarëve. A është kjo reforma më e mirë e drejtësisë? Sigurisht që jo, por të kërkosh perfeksionin në fushën e drejtësisë është gjithmonë e rrezikshme. Kjo reformë është mbi tavolinë. Drejtuesit shqiptarë të shumicës dhe të opozitës dinë të sillen si burra dhe gra shteti. Ata nuk kanë nevojë t’u tregohet se cila është detyra e tyre. Dua të besoj se më 21 korrik do të jenë shqiptarë të mëdhenj që do të marrin vendime të mëdha për të shpëtuar vendin e tyre.

Po ne, të dashur miq diplomatë, a kemi dhe ne një zgjidhje? Jo! Sepse ne duam që Shqipëria të vazhdojë integrimin e saj euroatlantik. Ne duam t’i bindim miqtë tanë shqiptarë dhe jo t’i detyrojmë ata, sepse ky është një vend sovran që e ka fituar me dinjitet pavarësinë e tij. Ne duhet gjithashtu të bindim drejtuesit tanë që ky vend i dëshiron reformat dhe se ai do t’i bëjë ato. Ne dëshirojmë të bindim popujt tanë, të çorientuar nga frika për të nesërmen e Evropës, se Shqipëria nuk duhet parë si një rrezik as si një barrë shtesë. Ajo mund të jetë një aset i shkëlqyer për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në kufirin tonë juglindor. Ajo ka një model harmonie ndërfetare unike në botë. Shqipëria ofron mundësi të mrekullueshme në fushën e turizmit, informatikës dhe agroindustrisë, të cilat mund të shfrytëzohen nga vendet tona.

Fund i citimit

Kombëtarja franceze nuk e fitoi Kampionatin evropian të futbollit, por dëshiroj të nënvizoj dy gjëra:
-  U garantua siguria, çka do të thotë se bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e rendit dhe të sigurisë ishte i efektshëm;

-  Shqipëria, e cila merrte pjesë për herë të parë në fazën finale, u paraqit me dinjitet duke humbur për shumë pak kualifikimin në fazën 1/8 të finales. Dëshiroj të nënvizoj fort se, sipas shërbimeve të sigurisë dhe të policisë franceze, tifozët shqiptar që shkuan në Francë tërhoqën shumë vëmendjen për sjelljen e tyre të mirë dhe sportive. Imazhi i Shqipërisë doli i fituar, gjë e cila më gëzon, mua dhe të gjithë miqtë e Shqipërisë, dhe na duhet të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim: duhet të përmirësojmë imazhin e Shqipërisë. Për ta bërë këtë mjafton të flasim për përvojat tona personale dhe profesionale në Shqipëri sa herë që të jetë e mundur. Ka shumë punë për të bërë nga të gjithë ne!

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor i mbajtur në Paris më 4 korrik konfirmoi të ardhmen evropiane të këtyre vendeve, ku secili duhet të gjejë ritmin e tij; uroj që Shqipëria të përshpejtojë ritmin e reformave dhe të largohet sa më shpejt nga zakonet e vjetra, me qëllim që të bashkohet me BE-në në shërbim të qytetarëve, me synim të përmirësojë të ardhmen e qytetarëve të saj.

Falënderoj të gjithë donatorët, të cilët kanë qenë shumë bujar këtë vit që festa jonë kombëtare të jetë në lartësinë e duhur. Faleminderit të gjithë shoqërive dhe bizneseve.

Rroftë integrimi evropian i Shqipërisë!

Të ngremë këtë dolli për përparimin e popullit shqiptar dhe për miqësinë franko-shqiptare.

Ndryshimi i fundit: 18/07/2016

Në krye të faqes