Më datën 19 prill u mbajt një takim franko-shqiptar mbi arkeologjinë në Parkun e Apollonisë.
Kjo fushë është objekt i një bashkëpunimi mes Francës dhe Shqipërisë, i cili daton që prej vitit 1925. Që në fillim, Apollonia ka qenë një park i privilegjuar. Ky bashkëpunim është konkretizuar me gërmime dhe punime shkencore të përbashkëta, me studime në Francë të disa arkeologëve shqiptarë, me shkëmbime mendimesh mbi problemet e ruajtjes dhe të rivlerësimit të objekteve arkeologjike. Shkollat franceze të Athinës dhe të Romës, Kolegji i Francës, CNRS-ja, Ecole Nationale Supérieure de Paris dhe disa universitete franceze janë partnerë të Shqipërisë në këto programe, me mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës së Francës.
Nën drejtimin e Ambasadores së Francës, Znj. Christine Moro dhe Këshilltarit të Kryeministrit, Z. Neritan Ceka, takimi i 19 prillit mblodhi përgjegjësit kryesorë të arkeologjisë shqiptare, si Znj. Shpresa Gjongecaj, Drejtoreshë e Institutit Arkeologjik të Tiranës, Z. Apollon Baçe, Drejtor i Institutit të Monumenteve, Z. Marin Haxhimihali, Drejtor i Parkut Arkeologjik të Apollonisë dhe Z. Bashkim Vrekaj, Drejtor i Parkut Arkeologjik i Bylisit.
Nga pala franceze, përveç përfaqësuesve të Ambasadës, ishin të pranishëm Z. Jean-Luc Lamboley, profesor në Universitetin Lyon 2, përgjegjës i gërmimeve franko-shqiptare në Apolloni, Z. Stéphane Verger, anëtar i misionit franko-shqiptar i Apollonisë dhe Drejtor i Kërkimeve në Ecole Normale Supérieure de Paris dhe Z. Vincent Guichard, Drejtor i Institucionit Publik Kulturor të Bibracte-s.
Diskutimet u përqëndruan në problemet që lindin në administrimin e një parku të trashëgimisë kulturore, si ai i Apollonisë: Si të bashkërendojmë punimet shkencore dhe praninë e turistëve? Si të përshtatim ruajtjen e parkut dhe ekspozimin e tij në ambjent të hapur? Interesat dhe nevojat e Parkut Arkeologjik dhe ato të popullsisë lokale? Si të organizojmë harmonizimin midis parkut dhe peisazhit përreth, i cili është pothuajse aq i rëndësishme sa ai, për ta bërë sa më tërheqës një stacion të turizmit të qëndrueshëm. Drejtori i Bibracte, Z. Vincent Guichard, tregoi përvojën e tij dhe diskutoi me pjesëmarrësit e tjerë.
Në përfundim të takimit, marrëveshja ekzistuese e bashkëpunimit ndërmjet Parkut Arkeologjik të Apollonisë dhe atij të Bibracte-s nga viti 2007 në vitin 2012 u përsërit edhe për pesë vitet e ardhshme.
